Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit vijon punën për restaurimin digjital të veprave kinematografike shqiptare.
Aktualisht po restaurohet për herë të parë filmi shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj” (1957), me regji dhe skenar nga Hysen Hakani.
Ministri i Turizmit, Kulturë dhe Sportit, Blendi Gonxhja ndërsa solli pamje nga puna që kryhet në Arkin Qendror Shtetëror të Filmit u shpreh se procesi i restaurimit përfshin skanimin digjital të materialit filmik origjinal, stabilizimin e imazhit, pastrimin e dëmtimeve fizike, korrigjimin e kontrastit dhe densitetit, si dhe rikuperimin e cilësisë vizuale sa më afër versionit origjinal, duke respektuar parimet profesionale të ruajtjes së autenticitetit të veprës.
“Fëmijët e saj” është një film shqiptar me metrazh të shkurtër, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” në vitin 1957. Regjia dhe skenari janë të Hysen Hakanit ndërsa muzika u kompozua nga Tish Daija. Premiera e filmit është shfaqur më 22 shkurt 1958, Tiranë.
Restaurimi i filmit vjen fill pas shfaqjes për publikun të disa filmave shqiptarë që kanë mbetur në kujtesë dhe që janë pjesë e trashëgimisë kulturore tashmë të restauruara.





