Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore është në fazën përmbyllëse të punimeve për restaurimin e Kishës së Shën Mërisë në Bishqethëm dhe Manastirit të Ardenicës.

Të dyja këto objekte fetare të shpallura Monumente Kulture, janë pasuri të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore.

Specialistët e IKTK-së kryen një inspektim në terren për të vlerësuar nga afër ecurinë e ndërhyrjeve, të cilat janë fokusuar në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave historike dhe arkitekturore të këtyre monumenteve.

Falë investimit në to, shumë shpejt këto objekte do t’i rikthehen komunitetit, më të bukura dhe më të mbrojtura.

Kisha e Shën Mërisë Bishqethëm është një objekt kulti tipik i ndërtimeve të shek. XVIII. Pikturat janë realizuar nga Johani i Çetirëve nga Grabova, në vitin 1798. Disa prej tyre ruhen në gjendje të mirë dhe përbëjnë një faktor të rëndësishëm kulturor për t’u vizituar.

Edhe trashëgimia artistike e Manastirit të Ardenicës është një tjetër thesar i çmuar. Ikonat dhe afresket e tij shprehin thelbin e identitetit të kombit shqiptar, ndërsa arkitektura e tij ndryshon nga tiparet e zakonshme të kishave ortodokse të rajonit. Manastiri i Ardenicës vërtet i përket periudhës bizantine, por formën e tij të sotme ai e ka marrë gjatë shekullit XVIII.