Kalaja e Bashtovës, ndërtuar në shekullin XV, me vlerat e saj historike dhe bukurinë natyrore është një tjetër destinacion për t’u vizituar nga turistët. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga puna restauruese në Kalanë unike të Bashtovës. Rama thekson se ky investim do ta kthejë më pas këtë kala në një nga destinacionet më të vizituara të trashëgimisë tonë kulturore. E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, nga muret e kalasë mund të vëzhgosh bregdetin si në pëllëmbë të dorës, që nga Gjiri i Durrësit e deri në Divjakë e Karavasta. Restaurimi i kësaj kalaje po kryhet si pjesë e projektit EU4Culture i zbatuar nga UNOPS. Specialistët austriakë po studiojnë materialet që përbëjnë objektin, për t’i hapur udhë kështu një faze të re në jetën e këtij monumenti kulturor. Kalaja është ndërtuar në dy periudha dhe puna e specialistëve po fokusohet në të kuptuarit e strukturave, kohën e ndërtimit, materialet e përdorura. Sipas specialistëve, janë marrë më shumë se 1 mijë lloje të ndryshme mostrash nga konstruksionet e ndryshme të kalasë së Bashtovës. Këto materiale do të analizohen në laboratorin shkencor të Arteve të Aplikuara në Vjenë dhe specialistët shpresojnë të marrin prej tyre më shumë informacion mbi periudhën e ndërtimit të kalasë. ATA