Ministrja e Kultures, Elva Margariti dha sot lajmin e mire se puna për restaurimin e godinës historike të Teatrit të Kukullave, ish-Parlamenti i parë shqiptar, po shkon drejt përmbylljes. Falë programit EU4Culture, që po zbatohet nga UNOPS, godina i është nënshtruar një “operacioni” delikat, që të mund të mbeten të pacenuara vlerat arkitekturore dhe historike. Në strukturën ekzistuese të Teatrit të Kukullave ka përfunduar përforcimi i themeleve të godinës, përforcimi i kolonave dhe mureve të brendshme dhe rindërtimi i çative me strukturë të re me binarë druri. Ka filluar restaurimi i fasadës duke kryer analizat e ngjyrave të përdorura gjatë viteve, për t’i dhënë objektit pamjen origjinale. Janë zbuluar dhe evidentuar shtrimet e vjetra të dyshemesë, të cilat do të restaurohen në përfundim të punimeve ndërtimore. Në pjesën e pasme të teatrit ka përfunduar ndërtimi i skenës së re me lartësi 11m. Kanë filluar punimet e muraturës së tullës, instalimet mekanike, elektrike dhe ndërtimi i tavanëve te varur. Pas përmbylljes së punimeve do të vijohet me mobilimin dhe vitin që vjen Tirana do të ketë një qendër të re kulturore në zemër të saj.