Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, një tjetër monument kulture po i nënshtrohet restaurimit për të krijuar hapësira të denja për veprat e artit dhe artistët.
Investimi i buxhetit të shtetit nuk synon tjetërsim e godinës aktuale, por ruajtjen edhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese duke dyfishuar edhe vëllimin nga pjesa e pasme e godinës. Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2.
GKA i ka fillimet e saj me përpjekjet e një grupi artistësh shqiptarë dhe të Komitetit të Arteve të vitit 1946.
Pinakoteka ishte institucioni i pare i arteve figurative ne Shqipëri. Pas një pune të mirëfilltë dhe përpjekjesh të shumta në 11 janar 1954 u hap zyrtarisht për publikun Galeria e Arteve në Tiranë.
Në vitin 1956, si rrjedhojë e pasurimit të fondit të veprave të artit, prej lulëzimit të krijimtarisë dhe blerjeve të kohës, Galeria u zhvendos në një godinë më të përshtatshme, me tre kate në rrugën “Fortuzi” dhe me hapësira ekspozuese të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë saj.
Vizionet e reja rreth zhvillimit dhe ekspozimit të arteve figurative si dhe blerjet rritën numrin e veprave të artit dhe sollën kërkesën për një ndërtesë më funksionale, e cila u inaugurua më 29 nëntor 1974, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërtesë, ku ndodhet edhe sot. Ky është dhe momenti i riorganizimit dhe rikonstruktimit të parë, i cili konsistoi në ngritjen e një strukture administrative, që përbëhej nga disa sektorë përkatës dhe në funksion të veprimtarive artistike.
GKA, ka mision grumbullimin, koleksionimin, konservimin, dokumentimin, studimin, restaurimin, ekspozimin dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore, duke promovuar veprat më të mira të artit pamor shqiptar të traditës dhe atij bashkëkohor kombëtar e ndërkombëtar.