Përfitim tjetër nga projekti është ndarja e njohurive dhe përvojave në restaurimin e peizazheve pyjore, sikurse dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për rëndësinë e mbrojtjes së pyjeve.
Drejtori i PPNEA, Aleksandër Trajçe u shpreh për ATSH-në se restaurimi i pyjeve, përtej vlerave që sjell në natyrë dhe biodiversitet, sjell të mira thelbësore dhe për komunitetet lokale dhe popullsinë që jeton pranë vendeve të restaurimit.
“Pyjet na ofrojnë shërbime ekosistemi tejet të vlefshme për jetën e njerëzve me një mori të mirash materiale dhe rekreative. Një territor i restauruar me pyje ndihmon në kontrollin e erozionit, mbrojtjen nga përmbytjet dhe rrëshqitjet, rregullimin e klimës lokale, përmirësimin e peizazhit, rritjen e potencialit për eko-turizëm, si edhe ndihmon në përmirësimin e qendrueshëm të blegtorisë, bletarisë dhe bimëve medicinale-aromatike, ndër shumë benefite të tjera”, theksoi ai.
Viti 2024 u shpall Viti Kombëtar i Pyjeve dhe specialistët e mjedisit e cilësuan nismën si më të mirën e këtyre viteve, por të pamjaftueshme. Me 120 ha mbjellje të reja pyjesh, kjo nuk mbulon dëmtimet e mëdha në vite nga prerjet dhe zjarret.
Një nga pasojat më të dukshme nga shpyllëzimi dhe degradimi i pyjeve është shtimi i erozionit që çdo vit humbet 2.3 mm tokë, për të cilat natyra ka punuar 100 vjet.
Po ashtu, rreziqe të tjera janë shtimi i përmbytjeve dhe ndikimi tek ndryshimet klimatike, nga të cilat vendi ynë është më i rrezikuar për shkak të klimës mesdhetare.
Specialistët kërkuan rritjen e investimeve për pyjet dhe centralizimin e kujdesit për to.