Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit gjendet mbi një kodër në verilindje të fshatit Vithkuq. Nga godinat e manastirit ka mbetur vetëm kisha e “Shën Pjetrit dhe Pavlit”, sepse konakët e manastirit janë shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Konakët e manastirit kanë qenë dy dhe trikatëshe dhe shtriheshin në tri anët e oborrit të brendshëm, i cili kishte sipërfaqe rreth 200 metra katrore. Anash tij në formën e shkronjës “U” gjendeshin rreth 40 qela banimi. Ndërsa në katin e dytë të konakëve gjendej biblioteka, ku ruheshin dorëshkrime me vlerë rreth historisë së Korçës dhe Voskopojës.
Kisha përbëhet nga naosi dhe një portik përpara hyrjes kryesore. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe me kupolë. Ajo u ndërtua rreth vitit 1759-1764.
Në përfundim të saj, kisha u pikturua prej piktorëve Kostandin e Athanas Zografi. Ndërsa ikonostasi është pikturuar në vitin 1748 nga Kostandin Shpataraku.