Ndonëse lumenjtë Krena, Erenik dhe Llukas të cilët përshkojnë komunën e Gjakovës kanë arritur pikat kritike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, gjendja është stabël dhe nën kontroll. Deri në këto momente në këtë komunë janë evakuuar pesë familje, ndërsa lumenjtë kanë vërshuar në disa rrugë dhe ura. Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa tha se gjendja e lumenjve që përshkojnë këtë komunë është më stabël. Sipas tij ndonëse dje lumenjtë, Krena, Erenik, Llukas kanë arritur pikat kritike, sot vërehet rënie e lehtë e nivelit të ujit. “Gjatë gjithë kohës jemi të mobilizuar në monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes aktuale. Këtu në Gjakovë dje kemi pas një situatë pak më kritike meqenëse lumenjtë qe përshkojnë territorin e komunës së Gjakovës si Erenik, Krena dhe lumi Llukas kanë arritur pikat kritike, dje ka qenë një moment që ka mundur edhe të përkeqësohet gjendja, por fatmirësisht intensiteti i ujit ka rënë në ato kuota dhe nuk i ka tejkaluar parashikimet tona dhe kemi pas situatë relativisht të qëndrueshme. Sot lumenjtë akoma janë në pikët kritike ka një rënie të lehtë shihet është evidente në bazë të vlerësimeve në terren dhe monitorimit shohim që ka ulje të nivelit, por nuk është ndonjë ulje substanciale. Nëse kthehen reshjet me intensitet si dje, atëherë bazën e ka shumë të fortë për të dalë nga shtrati lumenjtë. Sot është shumë më stabile për shkak se intensiteti ka rënë në bazë të parametrave që kemi bërë një vlerësim besoj që çdo gjë do të jetë në rregull”, tha ai. Meqa për KosovaPress tregoi se nga dje kanë pas më shumë vërshime të rrugëve dhe disa urave, ndërsa janë evakuuar edhe pesë familje në lagjen Bretkoc i Ulët. “Kemi pasur telashe në disa pika kryesisht vërshime të rrugëve, vërshime të urave në disa lokacione, shembull lumi Erenik që ka vërshuar urën në dalje të qytetit blloku i ri në drejtim të Shkukzës, rruga Bujaroka që shkon në drejtim të Tabakut, Ereniku ka vërshuar, si dhe kemi bërë evakuimin e disa banorëve në lagjen Brekoc i Ulët në rrugën “Shote Galica”, ku kemi evakuuar 5-6 familje. Çdo gjë e kemi nën kontroll për momentin dhe se komuna nuk ka pasur arsye për të ngritur në një nivel më të lartë të gatishmërisë pasi të gjitha janë të menaxhuara”, theksoi ai. Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa paralajmëroi se nëse vazhdojnë reshjet e shiut me intensitetin e ditës së djeshme komuna e Gjakovës rrezikohet nga përkeqësim i situatës me vërshime. “Parashikimet e motit janë se do të ketë reshje prapë dhe mund të ketë rritje të nivelit të ujërave. Ne jemi në gatishmëri me të gjitha kapacitetet reaguese komunale”, tha Meqa. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në komunën e Gjakovës, Xhevdet Brahimaj u shpreh se deri më tani ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë në katër raste, përfshirë ndërhyrjen e largimit të ujit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shkollën e Mjekësisë dhe evakuimin e dy familjeve. Brahimaj për KosovaPress tregoi se aktualisht kanë ekipe dhe pajisje të mjaftueshme për të menaxhuar situatën. “Jemi në gatishmëri që 24 orë gjendja në Gjakovë nuk është edhe fortë e tensionuar. Kemi pasur katër raste intervenimi. Një rast kemi pasur ujë në ambulantë, shkollë dhe në Biskotë i kemi tërhequr dy familje. Ne si njësi kemi ekipe të mjaftueshme sido që të jetë duke e parë situatën jemi mjaftueshëm”, theksoi ai. Rrjedha e lumit Krena në rrugën “Ahmet Korenica”, është më e rënduar dhe kështu po rrezikon daljen nga shtrati. Edhe banorët në këtë lagje ndihen të rrezikuar nga vërshimet të cilët tashmë uji ka hyrë në oborret dhe bodrumet e shtëpive. Hasan Ukaj tha për KosovaPress se tashmë shtëpitë dhe oborret e kësaj lagjeje janë të mbushura me ujë. “Jemi të rrezikuar shumë për shkak të lumit Krena. Në këtë lagje jemi diku 15 shtëpi shumë të rrezikuara. Kemi bërë disa ankesa në komunë disa herë, por askush nuk na ka marrë parasysh. E kemi një urë atje. Krejt problemin e bën ura, ka mundësi të shpëtojmë nëse ndërhyn pak komuna, por komuna nuk është duke i interesuar asgjë. Gjendja është shumë e keqe, shihet uji, vërshimet kanë hyrë nëpër bodrume, shtëpi e nëpër oborre. Gjendja është shumë e keqe jemi të rrezikuar me fëmijë e me të gjithë”, u shpreh Ukaj. Edhe kryefamiljari i familjes 17-anëtarëshe Muhamet Bajrami thotë se që nga dje po mundohen vetë t’i shpëtojnë pajisjet, pasi që uji tashmë ka hyrë në bodrumet dhe oborrin e shtëpisë. Ai thotë se fëmijët i kanë largua nga shtëpia. “Katastrofë jemi me ujë prej dje. Komuna nuk na ndihmon që të largohemi. Jemi të rrezikuar që gati 10 vjet. Uji na ka hyrë brenda, i kemi largua me shtretër, me të gjitha, makinat e larjes. Deri më tani nuk kam parë askënd vetëm policia ka ardhur mbrëmë dhe tha nëse ka ndonjë rrezikim lajmëroni”, tha ai. Reshjet e shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati ka ndikuar që të ketë vërshime edhe në disa fshatra të Vushtrrisë, Istogut e Pejës.https://ata.gov.al/2022/11/21/reshjet-intensive-te-shiut-evakuohen-pese-familje-ne-gjakove/
Reshjet intensive të shiut, evakuohen pesë familje në Gjakovë
RELATED ARTICLES