Reshjet intensive të shiut dhe të dëborës në zonat veriore të vendit kanë vijuar dhe gjatë natës së mbrëmshme e deri në orët e para të mëngjesit sot. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftimi në rrjetet sociale informon se, në aksin Bogë-Theth, pavarësisht reshjeve të shiut dhe dëborës nuk ka probleme me qarkullimin. ARRSH bën të ditur se, kontraktorët me mjete e punëtorë kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për të mbajtur qarkullimin në normalitet. Gjithashtu ARRSH apelon drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në zonat malore. ATSH