Qyteti i Shkodrës që prej orës 18:00 është përfshirë nga reshje intensive shiu, të cilat kanë krijuar probleme në disa akse rrugore. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bën të ditur se “punonjësit e Ujësjellës Kanalizime dhe shërbimeve publike janë të gjithë në terren për rikthimin e normalitetit në qytet në kohë rekord”. “Bashkia Shkodrës, do të ndërhyje për përmirësimin dhe lirimin e rrjetit ekzistues të kanalizimeve si prioritet dhe shërbim për banorët”, tha Beci. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në orët e mbrëmjes së sotme vendi ynë, sidomos në zonën e veriperëndimit dhe pjesërisht qendër, është përfshirë nga reshje shiu në formën e rrebesheve dhe stuhive, shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.