Pierre-Auguste Renoir, një prej artistëve më me ndikim në historinë e artit modern.

Renoir lindi më 25 shkurt 1841 në Limoges dhe u rrit në Paris, ku nisi si piktor komercial dhe kopjonte veprat e mjeshtrave në Musée du Louvre. Në vitin 1862 u pranua në École des Beaux-Arts dhe punoi në studion private të Charles Gleyre, ku u njoh me Frédéric Bazille, Claude Monet dhe Alfred Sisley, duke nisur të pilturonin “en plein air”- në natyrë, një revolucion për kohën.

Në vitin 1864 u pranua për herë të parë në Salon-in zyrtar dhe filloi të merrte porosi për portrete. Verat i kalonte shpesh në Marlotte pranë pyllit të Fontainebleau, ku takoi Gustave Courbet. Gjatë viteve 1869–1872 u lidh me figura si Cézanne, Zola, Nadar dhe Duranty, ndërsa punonte ngushtësisht me Monet.

Pas shërbimit ushtarak në Luftën Franko-Prusiane, Renoir u rikthye në Paris dhe, falë takimit me tregtarin Paul Durand-Ruel, nisi periudha që do të ndryshonte fatin e tij. Mori pjesë në Salon des Refusés në vitin 1873 dhe ishte ndër themeluesit e ekspozitës së parë impresioniste në vitin 1874, si dhe në edicionet e viteve 1876, 1877 dhe 1882. Për shkak të vështirësive financiare, së bashku me Monet e të tjerë organizoi ankandin e vitit 1875 në Hôtel Drouot.

Në fund të viteve 1870 dhe në fillim të viteve 1880, Renoir punoi me Cézanne dhe Guillaumin, vizitoi Algjerinë dhe Italinë (1881–82), dhe në 1883 mbajti ekspozitën e tij të parë personale. Udhëtoi në Jersey, Guernsey dhe L’Estaque, ndërsa ekspozoi edhe në Bruksel me grupin “Les Vingt”.

Në 1890 mori pjesë për herë të fundit në Salon dhe u nderua me Legion d’Honneur. Megjithë sëmundjen e rëndë të artritit më vonë në jetë, vazhdoi të pikturonte deri ditët e fundit. Ai u nda nga jeta më 3 dhjetor 1919 në Cagnes-sur-Mer, duke lënë pas një trashëgimi monumentale.

Sot, muzetë kryesorë të botës, ekspozojnë kryeveprat e tij, dëshmi e gjenialitetit dhe ndjeshmërisë së një artisti që pikturoi dritën dhe gëzimin e jetës.