Rehabilitim 41 godinave në shëtitoren e plazhit në Durrës

0
2

Në qytetin e Durrësit vijon puna për fazën e dytë të shëtitores së plazhit.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se “në kuadër të këtij projekti ka filluar puna edhe për rehabilitimin e fasadave të 41 godinave, që ndodhen përgjatë kësaj shëtitoreje”.

“Ky investim ka si qëllim të rehabilitojë fasadat e godinave me elemente termoizoluese për të rritur eficiencën e energjisë si edhe qëndrueshmërinë e objekteve për një periudhë afatgjatë duke përmirësuar edhe imazhin e të gjithë kësaj zone bregdetare”, tha Sako.

Aktualisht ka nisur veshja me sistem kapotë të pallateve të vijës së parë pranë Urës së Dajlanit. Ky investim përfshin realizimin e një shëtitoreje prej tre kilometrash përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, me gjelbërim të shtuar, parqe dhe hapësira sportive për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme nga Ura e Dajlanit drejt Konvaleshencës.

Midis shëtitores dhe zonës së plazhit do të ngrihen stacione me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore.

Projekti investues parashikon që përgjatë shëtitores do të ketë dhe zona të dedikuara për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, si dhe rikonstruksionin e fasadave të godinave.