Ministrja e Arsimit dhe Sporteve Evis Kushi njoftoi se, për herë të parë do të krijohet regjistri shtetëror i revistave shkencore të botuara në Shqipëri. Kushi tha se, sapo është hartuar rregullorja, ku përcaktohen procedurat dhe kriteret për përfshirjen e revistave shkencore në këtë regjistër. “Regjistri Shtetëror, do të ndihmojë në strukturimin e kërkimit shkencor në fushën e publikimeve, duke e ngritur Shqipërinë në një nivel të ri për sa i përket transparencës, cilësisë së kërkimit shkencor, si dhe forcimit të ndërkombëtarizimit”, tha ministrja Kushi. Kushi falënderoi të gjitha universitetet për kontributin e dhënë në finalizimin e këtij procesi dhe bashkëpunimin e frutshëm, teksa e cilësoi këtë hap “përmbushje të një misioni të përbashkët për rritjen e cilësisë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”. Rregullorja përcakton procedurat për përfshirjen e revistave përkatëse në këtë regjistër, ndërkohë që regjistrimi, ruajtja elektronike e të dhënave kryhet nëpërmjet një sistemi që administrohet nga AKKSHI. Sipas rregullores, institucionet shkencore përcjellin pranë AKKSHI-t, aplikimin për përfshirjen e revistave në regjistër dhe çdo revistë pajiset me një kod unik identifikimi. ATSH