Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame zhvilloi sot një konferencë për shtyp lidhur me regjistrimin e pronave shtetërore. Lame tha se, mbetet prioritet regjistrimi i pronave shtetërore, ndërsa theksoi se, do të ketë një regjistër për pronat publike. “Prej gati tre vjetësh, që prej krijimit të ASHK, kemi dalë herë pas here për të njoftuar nisma apo zgjidhje problematikash, që kanë lidhje me proceset pronësore të qytetarëve. Dalja e sotme, nuk ka të bëjë direkt me problemet pronësore të qytetarëve, por me hallet pronësore e shtetit shqiptar”, u shpreh Lame. Ai theksoi se, “ligji 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” u dha rrugëzgjidhje tipologjive të njohura të problemeve me pronat e qytetarëve, duke i vënë ato në rrugën e zgjidhjes. Është pak a shumë i njëjti proces që u ndoq me Legalizimet. Pas përfundimit të legalizimeve masive të qytetarëve, së fundmi u miratua VKM 523/2022 “Për kriteret e legalizimin të Objekteve Shtetërore”. Ai tha se, raste abuzimesh ka në çdo qytet të Republikës. Lame rendit një sërë institucionesh që kanë vuajtur nga ky fenomen si Ministritë e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, e Ministria e Shëndetësisë, etj. Lame informoi se, “në vitin 2020, kur përgatitej reforma e pronës, që prodhoi Ligjin 2020, ishin evidentuar rreth 230.000 prona shtetërore. Sot, pas një pune të madhe të bërë nga Kadastra, ky numër ka shkuar në rreth 260.000 prona shtetërore të identifikuara, nga këto 115.000 prona, ju janë transferuar institucioneve qendrore dhe vendore dhe 20.000 pasuri, rezultojnë të regjistruara në Kadastër”. Ai tha se, “të mërkurën kalon në Qeveri VKM-ja “Për përditësimin e Pronave Publike”. Kjo VKM saktëson procedurat e detajuara për të kryer pikërisht këtë proces identifikimi, verifikimi dhe saktësimi, për të ardhur në fund tek regjistrimi i pronës publike ende të paregjistruar”. Lame theksoi se, “qëllimi i parë dhe thelbësor i Regjistrit të Pronës Publike, është shpëtimi i pronës së përbashkët publike të Republikës”. “Vijimi i procesit të digjitalizimit do të ndihmojë shumë në identifikimin dhe regjistrimin e saktë të pronës shtetërore”, shtoi Lame. Ai tha se, ka përfunduar digjitalizimi për Lushnjën dhe Tropojën, ndërsa shtoi se, po punohet në Durrës, Kavajë, Tiranë dhe Krujë. “Përfaqësuesit e Institucioneve publike, të fillojnë identifikimin e pronave të institucioneve të tyre dhe të presin grupet e punës të ngritura prej nesh”, u shpreh Lame. ATSH