“Red Mud”, premierë botërore në Festivalin e Filmit “Cottbus” në Gjermani

0
3

Filmi rrëfen për një 12-vjeçar të komunitetit rom, i detyruar të punojë pas shkolle në një fabrikë. Ngjarja e një dite të zakonshme pune, kur punëdhënësi i bën një padrejtësi, do të ndikojë tek ëndrrat e djaloshit për të ardhmen. Filmi është financuar edhe nga Qendra Kom.

“Cottbus” ku do të shfaqet filmi, është një festival që konsiderohet si një nga ngjarjet më prestigjioze të kinemasë së Evropës Qendrore dhe Lindore. Ai vlerëson krijuesit që sjellin një qasje autentike, personale dhe estetike në rrëfimin filmik.

Pas suksesit të saj me filmin e parë, “Sheets”, Evi Gjoni ka vazhduar të thellojë kërkimin e saj artistik, duke eksploruar marrëdhëniet njerëzore, ndjeshmërinë dhe realitetet e padukshme të përditshmërisë. “Red Mud” shënon një hap të ri drejt maturimit krijues, me një vështrim të mprehtë ndaj botës që e rrethon.

Programin MIDPOINT Writers’ Room është një platformë evropiane që mbështet autorët e rinj, në zhvillimin e projekteve të tyre filmike. Pjesëmarrja në të e Evi Gjonit i dha mundësi regjisores së re të zgjeronte përvojën e saj në ndjekjen e procesit të shkrimit në një mjedis ndërkombëtar, duke i dhënë një dimension të ri mënyrës se si ndërtohen personazhet dhe tensionet dramatike.