Strukturat e mbrojtjes civile zhvilluan në Gjirokastër stërvitjen “Reagimi ndaj zjarreve masive 2025”, ku demonstruan angazhimin maksimal për të qenë të përgatitura për sezonin e verës.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo stërvitje.
“Falë bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes nga UNDP dhe partnerët ndërkombëtarë, ky trajnim është një test i rëndësishëm i gatishmërisë operacionale, në një kohë kur rreziku nga zjarret është në rritje për shkak të ndryshimeve klimatike dhe ndërhyrjeve të pakujdesshme njerëzore në shumë raste”, theksoi Vengu.
Vengu u shpreh se “90% e zjarreve shkaktohen nga faktori njeri, ndaj kujdesi dhe ndërgjegjësimi janë vendimtarë”.
“Vigjilenca dhe përgjegjësia janë arma më e fortë kundër fatkeqësive natyrore”, tha Vengu.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijojnë punën për forcimin e kapaciteteve parandaluese dhe reagimin e shpejtë në terren.