Një djalë i vogël theu aksidentalisht një qyp të rrallë 3 500-vjeçar, pasi u përpoq të shikonte brenda tij, në një muze, sipas thesun.co.uk.
Familja vizitoi muzeun ”Hecht” në Haifa, Izrael, i cili ka një politikë unike të ekspozimit të objekteve pa xham.
Qypi i mrekullueshëm daton në Epokën e Bronzit – midis viteve 2200 dhe 1500 para Krishtit dhe qëndronte në muze për 35 vjet, përpara aksidentit.
Babai i tij, Alex tha djali “e tërhoqi pak qypin” sepse donte ta shihte nga afër, por ai u rrëzua dhe u copëtua në disa fragmente.
Ai u trondit kur pa fëmijën e tij që qëndronte pranë qypit të thyer dhe fillimisht mendoi se nuk ishte përgjegjës.
Megjithatë, në një kthesë të pamenduar të ngjarjeve, drejtori i muzeut Inbal Rivlin i tha atij “mos ki frikë, ne nuk kemi asnjë pretendim kundër teje”.
Lihi Laszlo, menaxheri i përmbajtjes së muzeut, shpjegoi qasjen e tyre.
“Ka raste kur objektet e ekspozitës dëmtohen qëllimisht dhe raste të tilla trajtohen me ashpërsi të madhe, përfshirë këtu përfshirjen e policisë. Megjithatë, në këtë rast, situata nuk ishte kjo. Qypi u dëmtua aksidentalisht nga një fëmijë i vogël që vizitonte muzeun dhe përgjigja do të jetë në përputhje me rrethanat”, tha ai.
Qypi ndoshta është përdorur për të transportuar verë dhe vaj ulliri.
Ai u gjet në Samari, në Izraelin perëndimor.
Qypi i rëndë është aq i vjetër sa i përket kohës para mbretit David dhe mbretit Solomon.
Një ekspert është ngarkuar me restaurimin e relikes së lashtë.
Pavarësisht kaosit të krijuar, muzeu është i prirur të ruajë traditën e tij unike të ekspozimit të artefakteve “pa barriera apo mure xhami” në një përpjekje për ta bërë historinë më të prekshme