Fshati Rabdishtit në Dibër, është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për  agroturizmet e reja që po shtojnë ofertën turistike të zonës.

Rabdishti është një nga fshatrat ku institucionet e linjës në bashkëpunim me donatorët, po punojnë për ndërtimin e një modeli turizmi rural të bazuar te komuniteti.

Fshati Rabdisht është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. I ndodhur në një peizazh malor, i ndërtuar më shtëpi tradicionale me gurë, çatitë prej rrase guri, si dhe rrugët me kalldrëm i japin pamje të veçantë dhe unike duke u njohur “fshati i gurtë”.

Rabdishti shtrihet në majën e Luginës së Shërimit e cila ka marrë emrin e saj nga vetitë kuruese të burimeve termale të Peshkopisë dhe nga pjesa malore të kullotës së bjeshkës së Rabdishtit dhe malit me të njëjtin emër të vargmalit Deshat-Korab.

Vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë fshat pëlqejnë jetën tipike të fshatit, bujtinat tradicionale në Rabdisht, ku mikpritja dhe gatimet tradicionale shijohen si askund në rajonin e Dibrës.