Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ndau një album fotografik nga fshati Rabdisht i Peshkopisë, ku bie në sy arkitektura e veçantë e shtëpive të vjetra.

Specialistët e IKTK-së po i vijojnë ekspeditat në terren, të cilat kanë në fokus gjurmimin e trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e vendit. Javën e shkuar specialistët e IKTK vizituan qyteti i Peshkopisë dhe veçanërisht fshatin Rabdisht, me vlera të larta të trashëgimisë kulturore në shumë drejtime, si psh: zhvillimin urban të ansamblit; ndërtimet e arkitekturës vernakulare; teknikat tradicionale ndërtimore, që ruhen e do të jenë objekt i studimeve të mëtejshme të IKTK për verifikimin e interesit kulturor.

Rabdishti është një nga zonat më të bukura për nga natyra dhe resurset e saj. Ka një arkitekturë unike me shtëpitë e mbuluara me rrasa guri dhe kalldrëmet e ruajtura mirë. Rabdishti është i fshehur mes maleve, në anën veriore shtrihet një shkëmb i madh gipsi, në lindje është bjeshka dhe kufiri me Maqedoninë e Veriut, në jug kufizohet me majën e Velivarit ndërsa në perëndim vetëm 4 km larg shtrihet qyteti i Peshkopisë.