Qyteti antik i Apolonisë, 12 km larg qytetit të Fierit, është një thesar i pasur i historisë dhe kulturës shqiptare. Vizitorët që vijnë në Apoloni mbeten të mahnitur nga pamjet e rrënojave të qytetit. Ky sit arkeologjik përmban akropolin, teatrin, forumin, ndërtesa të ndryshme publike dhe private, si dhe rrugët e vjetra, të cilat ofrojnë një pamje të mrekullueshme të jetës së qytetit antik dhe strukturave të tij. Vetëm gjatë vitit 2023, Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 82 mijë turistë, nag të cilët 49 884 të huaj dhe 32 090 shqiptarë, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë. Përqindjen më të lartë të vizitorëve e kanë turistët gjermanë, francezë italianë e spanjollë, por të shumtë janë edhe turistët çek, polakë e ukrainas, apo nga rajoni si shtetas nga Kosova e Maqedonia.
Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike. Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek. të IV p.e.s., ndërsa rrënojat e Apolonisë janë zbuluar në fillim të shek. XIX. Në shekujt që pasuan, qyteti zhvilloi një kulturë të pasur dhe u bë një qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore në rajon. Ai ndikoi ndjeshëm në zhvillimin e kulturës romake në Ballkan dhe Evropën Lindore. Arkeologët e quajnë Apoloninë “Pompei i Shqipërisë”, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.