Deri në vitin 2050, qytetet evropiane synojnë të zhvillojnë një turizëm të balancuar që ruan ekuilibrin mes qëndrueshmërisë, përfitimeve ekonomike dhe mirëqenies sociale. Përfaqësuesit e qyteteve kërkuan që politikat e turizmit të integrohen me strategjitë urbane, duke përfshirë transportin, banesat dhe zhvillimin ekonomik.

Qasja e re synon të tërheqë “vizitorët e duhur” në vend që të kërkojë vetëm rritje numerike. Kjo, sipas Patrick Bontinck nga “visit.brussels”, do të sigurojë një turizëm afatgjatë që i shërben si qytetit, ashtu edhe ekonomisë.

Sipas të dhënave të OKB-së për Turizmin, kostot e larta të transportit dhe akomodimit janë sfidat më të mëdha aktuale, ndërsa inflacioni në turizëm mbetet më i lartë se ai i përgjithshëm.

Përveç sfidave ekonomike, pasiguria politike dhe tensionet gjeopolitike po ndikojnë në besimin e udhëtimeve, duke nxitur kërkesa për një qasje më të qëndrueshme dhe bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat.

Në këtë kuadër, Komisioni Evropian po përgatit një strategji të përbashkët për turizmin e qëndrueshëm, që pritet të prezantohet në fillim të vitit 2026.

Plani synon të bëjë sektorin më konkurrues, rezistent dhe miqësor me mjedisin, duke trajtuar mbipopullimin, përmirësuar shërbimet dixhitale dhe promovuar udhëtimet ndërkufitare brenda BE-së