Vendet e Kuintit, BE-së dhe OSBE-së i kanë reaguar Qeverisë së Kosovës lidhur me vendimin e 30 majit për shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe. Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë, nëpërmejt një deklarate kanë shprehur keqardhje për vendimin e marrë nga Qeveria e Kosovës më 30 maj që të finalizojë shpronësimin e mbi 100 parcelave të tokës në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. “Disa nga misionet tona kishin ndarë më herët me Qeverinë vlerësimet e ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, që tregon se Qeveria ka shkelur ligjet dhe rregulloret e veta për shkak të mangësive procedurale dhe teknike gjatë procesit të shpronësimit. Vërejmë se sistemi gjyqësor i Kosovës ka identifikuar shqetësime të ngjashme ligjore me vendimin preliminar të shpronësimit, të cilin Qeveria ende nuk e ka adresuar. Përderisa disa nga pronat e paraqitësve të kërkesës u hoqën nga vendimi përfundimtar i shpronësimit, na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk priti që të gjitha procedurat e hapura gjyqësore të gjykoheshin plotësisht përpara se të merrte këtë vendim”, thuhet në deklaratë. Aty theksohet se është thelbësore që qeveria të bëjë përpjekje për të siguruar që aktivitetet e shpronësimit të jenë në përputhje me ligjin, që të ndiqet procesi i duhur dhe që të drejtat pronësore të pronarëve dhe titullarëve të të drejtave të respektohen plotësisht. “Ndarazi, ne i kemi shprehur shqetësimet tona Qeverisë se projektligji i shpronësimit nuk është në përputhje me zotimet e Kosovës të marra sipas Planit të Ahtisaarit dhe kemi inkurajuar atë që ta modifikojë ligjin në përputhje me rrethanat përpara se ta miratojë atë. Ne inkurajojmë qeverinë e Kosovës që t’i përmbahet sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë themelet e shoqërive vitale dhe demokratike. Për më tepër, ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të riafirmojë përkushtimin e saj ndaj parimeve të Ahtisaarit, duke përfshirë mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë”, thuhet në deklaratë.
QUINT-i, BE dhe OSBE i reagojnë Qeverisë së Kosovës për shpronësimet në veri
RELATED ARTICLES