Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot veprat fituese për “Fondin e Përkthimit Letrar nga Gjuha Shqipe në Gjuhë të Huaj”.
Nga 11 aplikime, juria, e kryesuar nga përkthyesja Maklena Nika dhe me anëtarë studiuesin Ben Andonin dhe përkthyesin Erion Kristo, vlerësoi për të mbështetur financiarisht 6 autorë dhe vepra.
Diana Çuli, Virgjil Muçi, Bashkim Hoxha, Ardian Vehbiu, Besnik Mustafaj dhe Preç Zogaj janë autorët shqiptarë që “do të flasin” në greqisht, serbisht, gjermanisht dhe arabisht.
- “Engjëj të armatosur” i Diana Çulit do të përkthehet në greqisht;
- “Piramida e shpirtrave” i Virgjil Muçit do të përkthehet në serbisht;
- “Kronikat e mjegullës” nga Bashkim Hoxha do të përkthehet në gjermanisht;
- “Sende që nxirrte deti” nga Ardian Vehbiu do të përkthehet në greqisht;
- “Midis krimeve dhe mirazheve” nga Besnik Mustafaj do të përkthehet në arabisht;
- “Poema të gjedhura” nga Preç Zogaj do të përkthehet në greqisht.
Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli u shpreh se ky fond synon promovimin e letërsisë shqipe përtej kufijve dhe se përkthimi i librit shqip në gjuhë e kultura të tjera vijon të mbetet një prioritet.
Këtë vit, thirrjes së QKLL-së iu përgjigjën 11 shtëpi botuese për përkthimin e veprave të autorëve tanë, përkatësisht në gjuhët italisht, serbisht, spanjisht, greqisht, maqedonisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe arabisht.
Aplikantët kishin përzgjedhur autorë, të tillë si: Ylljet Aliçka, Besnik Mustafaj, Virgjil Muçi, Migjeni, Petro Marko, Haki Stërmilli, Ardian Vehbiu, Shemsi Ahmeti, Stefan Çapaliku, Diana Çuli, Bashkim Hoxha, Preç Zogaj, Fatmira Aliaj.