Qeveria miratoi vendimin për përcaktimin e afateve dhe procedurave të testimit fillestar dhe periodik të inspektorëve, me qëllim standardizimin dhe rritjen e transparencës në procesin e vlerësimit të tyre.
Vendimi përcakton afatet, mënyrën e zhvillimit të testimeve, si dhe kriteret e vlerësimit për inspektorët që ushtrojnë funksione në inspektoratet qendrore dhe në strukturat e tjera inspektuese.
Sipas vendimit, testimi fillestar do të zhvillohet për inspektorët që janë në periudhë prove, ndërsa testimi periodik do të zhvillohet çdo katër vjet për të gjithë inspektorët e konfirmuar në detyrë, për të verifikuar dhe përditësuar njohuritë e tyre profesionale në përputhje me zhvillimet ligjore dhe institucionale.
Testimet organizohen nga Inspektorati i Përgjithshëm dhe vlerësohen nga Komisioni i Rekrutimit dhe Ecurisë në Karrierë (KREK), sipas një metodologjie të publikuar paraprakisht.
Inspektorët që nuk arrijnë të kalojnë testimet, do të përjashtohen nga detyra. Ndërsa ata që vlerësohen me rezultat “kënaqshëm” do të vijojnë detyrën me kushtin e ndjekjes së trajnimeve të mëtejshme.
Pas kalimit me sukses të testimeve, inspektorët pajisen me kartë identifikimi dhe certifikatë që vërteton përfundimin e programit të trajnimit dhe testimit.
Testimi fillestar dhe periodik
Sipas vendimit, të gjithë inspektorët në periudhë prove do t’i nënshtrohen një testi fillestar, që përfshin testim me shkrim dhe me gojë, brenda jo më pak se 15 ditë pune pas përfundimit të trajnimit të detyrueshëm. Testimi periodik do të zhvillohet çdo katër vjet për të gjithë inspektorët e konfirmuar, vetëm në formën e një testi me shkrim.
Kriteret e vlerësimit dhe pasojat
Rezultatet e testimeve do të vlerësohen me sistem pikësh nga 0 deri në 100 dhe do të klasifikohen në pesë kategori: “shkëlqyeshëm”, “shumë mirë”, “mirë”, “kënaqshëm” dhe “jokënaqshëm”. Inspektorët që rezultojnë “jokënaqshëm” në testimin fillestar nuk konfirmohen në detyrë, ndërsa në rast të rezultateve “jokënaqshëm” në testimin periodik, inspektori largohet nga detyra.
Për inspektorët që marrin vlerësim “kënaqshëm” në testimin fillestar, vendimi parashikon ndjekjen e programeve të vazhdueshme trajnimi, për të plotësuar boshllëqet e evidentuara gjatë testimit.
Përmbajtja dhe organizimi i testimeve
Testimet do të mbulojnë njohuritë për legjislacionin e inspektimit, procedurat administrative, kundërvajtjet administrative, konfliktin e interesit, etikën, mbrojtjen e të dhënave personale dhe aktet ligjore sektoriale sipas fushave përkatëse të inspektimit.
Inspektorati i Përgjithshëm, në bashkëpunim me inspektoratet qendrore, do të hartojë dhe përditësojë bankën e pyetjeve për testimet dhe do të publikojë kalendarin e zhvillimit të tyre.
Karta e inspektorit dhe certifikimi
Pas kalimit me sukses të testimit fillestar, inspektorët do të pajisen me kartën zyrtare të inspektorit, e cila shërben për të vërtetuar identitetin dhe autoritetin e tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithashtu, inspektorët do të pajisen me certifikatë që konfirmon përfundimin me sukses të trajnimit dhe të testimit.
E drejta për ankimim
Inspektorët kanë të drejtë të ankimojnë rezultatet e testimit brenda 5 ditëve pune nga marrja e njoftimit. Ankimimi shqyrtohet nga një komision ad-hoc pranë Inspektoratit të Përgjithshëm dhe vendimi i tij mund të ankimohet në gjykatën administrative kompetente brenda 45 ditëve.
Sipas vendimit, inspektorët aktualë që nuk janë testuar për më shumë se katër vjet do të duhet të kalojnë testimin periodik brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij akti.
Vendimi ngarkon Inspektoratin e Përgjithshëm, inspektoratet qendrore dhe strukturat e tjera inspektuese për zbatimin e tij dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.