Qeveria e Kosovës ka vendosur ta rrisë numrin e gazetarëve ukrainas dhe familjeve të tyre të ngushta të cilëve u ofron strehim të përkohshëm në vend, si pasojë e luftës në Ukrainë.
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti e miratoi të mërkurën ndryshimin e një vendimit të vitit 2022 për ta rritur numrin e gazetarëve ukrainas, të cilëve u ofron strehim të përkohshëm.
“Do të rritet numri i gazetarëve ukrainas, përfshirë anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre, të cilëve Republika e Kosovës do t’iu sigurojë mbrojtje të përkohshëm”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Në vitin 2022, Qeveria e kishte marrë një vendim për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas. Besohet se deri tani në Kosovë janë strehuar 13 gazetarë ukrainas.
Blerim Gashani, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, foli më në hollësi për strehimin e gazetarëve ukrainas, por nuk tregoi se për do të rritet numri i tyre.
“Kosova vazhdon të tregojë solidaritet ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke u ofruar mbrojtje të përkohshme gazetarëve ukrainas dhe familjeve të tyre të rrezikuar nga lufta në Ukrainë”, tha Gashani.
“Mbrojtja e përkohshme do të ofrohet në përputhje me ligjin për azil dhe do të ketë ndikim të menjëhershëm, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”, shtoi ai.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ata do të jetë të detyruar ta respektojnë legjislacionin e Kosovës dhe do t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që ky legjislacion ua garanton, sipas Gashani.
Kosova gjithashtu është rreshtuar krah Perëndimit, duke i vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur më 2022 në Ukrainë.
Aktualisht, mbi 6 milionë njerëz jetojnë si refugjatë jashtë Ukrainës.
Kjo luftë, e cila po vazhdon, sipas Kombeve të Bashkuara, ua mori jetën mbi 10.000 civilëve në Ukrainë.
Të paktën 40 për qind e popullsisë kanë nevojë për një lloj të ndihmës humanitare