Shkencëtarët po studiojnë ADN-në e qenve për të kuptuar përshtatjen ndaj rreziqeve kronike mjedisore.

Pamjet e ndara nga organizata ”Dogs of Chernobyl” tregojnë tre qen me ngjyrë blu që enden pranë termocentralit famëkeq.

“Kemi parë shumë në Çernobil, por kjo ishte një përvojë shumë unike”, tha një zëdhënës.

Grupi, i lidhur me organizatën jofitimprurëse ”Clean Futures Fund”, thotë se këta qen janë pasardhës të kafshëve shtëpiake të braktisura gati 40 vjet më parë pas katastrofës bërthamore të vitit 1986.

Vendasit i thanë ekipit se qimet e kafshëve dukeshin normale vetëm një javë më parë.

“Nuk e dimë arsyen dhe po përpiqemi t’i kapim në mënyrë që të zbulojmë se çfarë po ndodh”, shtoi zëdhënësi.

“Me shumë mundësi ato po futen në ndonjë lloj kimikati”, shtoi ai.

Projekti “Dogs of Chernobyl”, i nisur në vitin 2017, ofron kujdes mjekësor, ushqim dhe sterilizim për rreth 700 qen endacakë në këtë zonë.

Zona është ende e ndaluar për shumicën e njerëzve që pas shpërthimit të Reaktorit 4 në vitin 1986.

Shkencëtarët vazhdojnë të studiojnë se si dekada të tëra ekspozimi brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit mund t’i kenë ndryshuar këta qen në një nivel gjenetik.

Një studim i vitit 2023 i botuar në ”Science Advances” nga shkencëtarë të Universitetit të Karolinës së Jugut dhe Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Gjenomit Njerëzor analizoi ADN-në e 302 qenve të egër që jetonin në dhe përreth zonës.

Ata gjetën dallime të jashtëzakonshme gjenetike krahasuar me qentë vetëm 15 kilometra larg duke sugjeruar se kafshët mund të evoluojnë më shpejt.

Hulumtime të mëtejshme të udhëhequra nga Dr. Norman J. Kleiman në Universitetin e Kolumbias zbuluan se dy popullata të dallueshme qensh , njëra rreth termocentralit dhe një tjetër në qytetin e Çernobilit ,kanë arritur të mbijetojnë breza të tërë kontaminimi.

Disa nga qentë mbajnë shënjues gjenetikë të lidhur me riparimin e ADN-së, të dhëna të mundshme se si jeta përshtatet në zonat ekstreme të rrezatimit.

Shkencëtarët besojnë se studimi i qenve të Çernobilit një ditë mund t’i ndihmojë njerëzit të kuptojnë se si të mbrohen nga ekspozimi ndaj rrezatimit, madje edhe në hapësirë.

Qentë endacakë të Çernobilit, së bashku me ujqërit, drerët dhe madje edhe bretkosat e zeza që evoluan pigmentim më të errët e kanë shndërruar zonën në një laborator të gjallë për evolucion.

Fauna e egër ka lulëzuar në mungesë të njerëzve, gjuetisë dhe industrisë.