Qendra Shëndetësore Verore në Palasë është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmën e parë dhe këshilla shëndetësore për të gjithë ata që kanë nevojë.

Mjekët këshillojnë qytetarët që të kujdesen për veten duke zbatuar disa këshilla si: të pijnë shumë ujë, të qëndrojnë në hije kur dielli është i fortë, të përdorin krem mbrojtës dhe të zgjedhin ushqime të lehta.

Doktoresha Denada Mulaj, e cila punon në këtë qendër për të tretin vit radhazi, tregon se gjatë verës janë të zakonshme rastet me djegie nga dielli, reaksione alergjike, pickime nga insektet dhe plagë të ndryshme që ndodhin gjatë aktiviteteve fizike.

Mulaj thekson rëndësinë e mosekspozimit në pikun e ditës ku temperaturat janë të larta, ndërsa u bën thirrje pushuesve të konsumojnë sa më shumë ujë, të qëndrojnë në hije gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të mbrojnë lëkurën me krem mbrojtës.

Sipas saj, shmangia e qëndrimit të zgjatur në diell sidomos në pikun e vapës është thelbësore për të ruajtur shëndetin.

Qendra Shëndetësore Verore në Palasë vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e një vere të sigurt për të gjithë ata që zgjedhin rivierën shqiptare për pushimet e tyre, duke ofruar jo vetëm trajtim mjekësor por edhe ndërgjegjësim për kujdesin ndaj rreziqeve të stinës.