Në Krujë, çdo ditë të vitit nuk mungojnë vizitorë vendas dhe nga vende të ndryshme të botës të tërhequr nga historia dhe trashëgimia kulturore e zonës.
Pazari karakteristik i Krujës, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik edhe këto ditë vjeshte janë të mbushura me turistë.
Interesi i lartë për historinë dhe kulturën shqiptare e ka kthyer Krujën në një ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.
Qyteti i Krujës shtrihet 608 m mbi nivelin e detit dhe ofron një panoramë të veçantë të zonës përreth. Rëndësia e qytetit të Krujës lidhet ngushtë me veprimtarinë e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, që në shekullin XV e ktheu Krujën në një bastion të qëndresës së paepur në luftën kundër osmanëve.
Muzeu i Gjergj Kastrioti Skënderbeut ndodhet brenda mureve të kalasë, që datojnë në shekujt V dhe VI pas Krishtit.
Brenda mureve të kalasë ndodhen edhe Muzeu Etnografik dhe pranë hyrjes së kalasë, Pazari i vjetër tradicional i qytetit, që daton nga periudha e Skënderbeut. Turistët gjejnë në pazar produkte artizanale shqiptare si: sende të qëndisura, qilima, objekte argjendi, bakri, alabastri, filigran, veshje tradicionale.





