Në fshatin Rabdisht të Peshkopisë, bie në sy arkitektura e veçantë e shtëpive të vjetra. Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore mendojnë se Rabdishti ka vlera të larta të trashëgimisë kulturore në shumë drejtime, si psh: zhvillimin urban të ansamblit; ndërtimet e arkitekturës vernakulare; teknikat tradicionale ndërtimore, që ruhen e do të jenë objekt i studimeve të mëtejshme të IKTK për verifikimin e interesit kulturor.
Rabdishti është një nga zonat më të bukura për nga natyra dhe resurset e saj. Ka një arkitekturë unike me shtëpitë e mbuluara me rrasa guri dhe kalldrëmet e ruajtura mirë. Rabdishti është i fshehur mes maleve, në anën veriore shtrihet një shkëmb i madh gipsi, në lindje është bjeshka dhe kufiri me Maqedoninë e Veriut, në jug kufizohet me majën e Velivarit ndërsa në perëndim vetëm 4 km larg shtrihet qyteti i Peshkopisë.