QSA është një institucion kërkimor-shkencor pjesë e strukturës së Akademisë së Shkencave, i themeluar në vitin 1986. Ajo ka si objekt studimi: artet figurative, teatrin, kinemanë, muzikën, koreografinë, fushat e bashkëveprimit të arteve.
Studimet teorike dhe ato mbi problemet metodologjike ishin parësore përpara vitit 1991. Ndërsa pas vitit 1993 studimet e historisë së arteve në Shqipëri dhe vështrimet kritike e analitike mbi to zunë vendin kryesor, pa përjashtuar edhe studimet në rrafshin teorik e metodologjik, kur ishte e nevojshme.
QSA i kushtoi vëmendje trashëgimisë dhe traditave në artet shqiptare, duke filluar që nga periudhat e hershme, ajo e mesjetës e deri sot; trajtoi çështje e dukuri që lidheshin me rrjedhat bashkëkohore të arteve në Shqipëri. Ajo funksionoi si njësi unike e organizuar në tre sektorë: ai i arteve figurative, ai i arteve skenike dhe kinematografisë dhe ai i muzikës dhe koreografisë.
Në vitin 2000 QSA ndërmori projektin “Enciklopedia e artit shqiptar”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencës dhe Arteve në Kosovë. QSA boton revistën shkencore “Studime mbi artin”, numri i parë i së cilës ka dalë në vitin 1995.
Në shtator 2007 QSA kaloi si institucion pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, e integruar si departament më vete në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Me reformën shkencore të vitit që shkoi Qendra e Studimit të Arteve doli edhe njëherë si njësi shkencore më vete, duke shtuar organikën e vet, e cila do vazhdojë të jetë në zgjerim