Këto ditë dolën nga shtypi librat më të fundit të botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

Librat e dalë nga shtypi janë: “Poliedriku Ernest Koliqi në 120 vjetorin e lindjes” (Botimi i Akteve të Kuvendit të mbajtur më 5 maj 2023 si organizim i QSPA-së, në bashkëpunim me ASA); “Drita e Shejzave” – Publicistikë 1957 – 1974, ideuar, kuruar dhe me parathënie nga Prof. Ardian Ndreca; “Shkrime të Ernest Koliqit për letërsinë arbëreshe”, nën kujdesin e prof. Ymer Çiraku dhe dr. Loreta Loli; “Shënime kritike mbi letërsinë shqipe” me autor studiuesin arbëresh Giuseppe Gradilone, i cili vjen për herë të parë në shqip nën kujdesin e prof. Vjollca Osjes dhe me përkthim të prof. Edlira Macaj.

QSPA bëri me dije se këto botime do t’u vihen në shërbim studiuesve, studentëve dhe publikut të gjerë të interesuar në çështje të letërsisë, gjuhësisë, medias dhe lëmin e historisë shqiptare. Këto tituj mund të gjenden së shpejti edhe në versionin online në faqen e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).