Në Bushat të Shkodrës së shpejti do të nisë puna për ndërtimin e një qendre rajonale për emergjencat civile.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu gjatë një takimi me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe prefekten e qarkut, Majlinda Angoni.

Në një postim në rrjetet sociale, Vengu tha se kjo qendër do të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të zonës.

“Në takim diskutuam nga afër për nevojën e investimeve në infrastrukturë, mjete dhe personel për përballimin e emergjencave civile në qarkun e Shkodrës”, theksoi Vengu.

Vengu tha se “Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile gjithnjë pranë bashkive për reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, dhe rritjen e kapaciteteve në zonat ku turizmi gjithëvjetor kërkon një qasje të re”.