Këshilli i Ministrave vendosi sot fondin për shpronësimin e pasurive të paluajtshme që prekin gjurmën mbi të cilën do të ndërtohet segmenti rrugor “By-pass Vlorë”, por edhe fondin për shpronësimet për segmentin rrugor Qafë Thanë-Lin-Pogradec.
Sa i takon segmentit “By-pass Vlorë”, në vendimin e qeverisë saktësohet se shpronësimet do të jenë me vlerë të plotë dhe vlera e pasurisë që do të shpronësohet arrin në 260,289,121 lekë. Kjo përfshin truall me sipërfaqe 22,555 m2, arë me 55,316 m2, kullotë me 19,639 m2, pyll me 4,187 m2, dru frutorë, ullishte dhe pemëtore, me një total prej 260,289,121 lekësh. Autoriteti Rrugor Shqiptar do të mbulojë shpenzimet procedurale shtesë në vlerën e 50,000 lekë. Vendimi, i cili është hyrë në fuqi menjëherë dhe është publikuar në “Fletoren zyrtare”, ngarkon disa institucione lokale dhe qendrore për zbatimin e tij, duke përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur edhe miratimin e fondit për shpronësimet e pronarëve të paluajtshëm që bien në gjurmën e segmentit rrugor Qafë Thanë-Lin-Pogradec.
Sipas vendimit të qeverisë, pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “arë”, kultura bujqësore “drufrutorë” dhe “vresht”, me vlerë të përgjithshme prej 10 703 498 lekësh. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 10 703 498 lekësh, përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.