Pylli i Fazanëve në Maliq, është një tjetër destinacion ku vizitorët mund të shijojnë natyrën dhe të shohin shpendë të ndryshëm. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikoi sot në rrjetet sociale, foto nga ky pyll, ku shprehet se, ai është pjesë e zonave të mbrojtura. “Pylli i Fazanëve në Maliq, një oaz fantastik prej 50 hektarësh pjesë e zonave të mbrojtura, edhe po aq i frekuentuar nga turistët që duan natyrën në qarkun e Korçës”, shkroi Kumbaro. Pylli i fazanëve i ndodhur vetëm 10 km larg qytetit të Korçës është një nga atraksionet më interesante në juglindje të vendit. Me një peizazh fantastik, ky pyll gëzon statusin e monumentit natyror, ndërsa fazanët janë simboli i monumentit të natyrës. Sot ky pyll është streha e fazanëve, sorkadheve, lepujve të egër, dhelprave, është pylli i plepave, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit. Ajri i pastër, peizazhi mahnitës, gjelbërimi që të shoqëron kudo, flora dhe fauna e larmishme janë disa nga arsyet përse të gjithë e zgjedhin këtë mrekulli natyrore. atsh