Pyjet e Razmës nën qilimin e dëborës

0
7

Fshati i Razmës, rreth 40 kilometra larg nga Shkodra, është një nga destinacionet më të preferuara gjatë stinës së dimrit për vizitorët. E ndodhur në zemër të Alpeve shqiptare, nën këmbët e malit të Veleçikut, Razma është mbuluar ditët e fundit nga dëbora. Rruga për në Razëm është mjaft panoramike, me fshatrat e vegjël që duken rrëzë maleve.  Në dy anët e saj në dimër shihen fushat e zëna nga bora. Gjatë ngjitjes në rrugën malore, nuk mund të humbisni pamjet spektakolare të natyrës dhe maleve. Razma është një fshat i vogël, rrethuar me pyje të dendur ahu dhe pishe, që të lënë pa fjalë me madhështinë, ngjyrat dhe bukurinë e tyre. Razma është kthyer në një nga pikat turistike më të preferuara, ku shkojnë të gjithë e në çdo stinë, e jo vetëm nga qyteti i Shkodrës. Për shkak të afërsisë me qytetin dhe mundësisë për të gjetur vazhdimisht borë atje, ajo është një destinacion i mirë për fundjavën në një ditë dimri.