Presidenti rus, Vladimir Putin lëshoi një paralajmërim për Shtetet e Bashkuara në lidhje me një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit nëse Uashingtoni i jep Ukrainës raketa ”Tomahawk”, me rreze të gjatë veprimi.
”Vendosja e armëve të tilla do të nënkuptonte përfshirje ushtarake të SHBA-së”, tha dje ai në Klubin e Diskutimit ”Valdai”, në Soçi.
Putin e përshkroi situatën si të rrezikshme, duke theksuar fuqinë e armës dhe potencialin e saj për të dëmtuar Rusinë.
Ai vuri në dukje se ndërsa futja e këtyre raketave nuk do të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë në fushën e betejës në luftën e Ukrainës, kjo mund të tendoste marrëdhëniet midis Rusisë dhe SHBA-së dhe të çonte në një “fazë cilësisht të re të përshkallëzimit”.
Ai tha gjithashtu se Rusia do të përmirësonte sistemet e saj të mbrojtjes ajrore për të kapur këto raketa, siç kishte bërë me sulmet ATACMS.
Komentet e Putinit erdhën në përgjigje të raporteve të medias që sugjeronin se SHBA-të po mendojnë të furnizojnë Ukrainën me raketa ”Tomahawk” për të lehtësuar sulmet në thellësi të territorit rus.
Ukraina po i përdor këto sulme për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë, të nisur nga Moska më shumë se tre vjet e gjysmë më parë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka bërë thirrje për raketa me një rreze veprimi që tejkalon 2 000 kilometra, thuhet se e diskutoi këtë çështje me presidentin e SHBA-së Donald Trump javën e kaluar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në atë kohë, pas takimit, Trump tha se Ukraina ka mundësinë të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.