Kina ka planifikuar të zhvillojë një takim të tretë për të diskutuar progresin në një projekt masiv ndërkombëtar të infrastrukturës të njohur si “Iniciativa “Brez dhe Rrugë” më 17 dhe 18 tetor në Pekin. Në Forumin “Brez dhe Rrugë”, i cili u organizua për herë të fundit në vitin 2019, priten zyrtarë të shumtë , përfshirë presidentin rus Vladimir Putin. “Presidenti rus, Putin kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij gjatë një takimi në Moskë me ministrin e Jashtëm kinez,Wang Yi muajin e kaluar”, njoftoi agjencia e lajmeve TASS. Para kësaj, Putini pritet të bëjë nesër një udhëtim në Kirgistan, megjithëse kjo nuk është konfirmuar ende nga Kremlini. Të premten, kryeqyteti i Kirgistanit Bishkek do të presë Komonuelthin e Shteteve të Pavarura (CIS), një mbledhje e ish-kombeve sovjetike, ku do të marrë pjesë gjithashtu presidenti Putin. Udhëtimi në Bishkek për të takuar presidentin Sadyr Zhaparov do të ishte udhëtimi i parë i Putinit jashtë vendit që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër arresti për të, në mars në lidhje me luftën në Ukrainë. As Kirgistani dhe as Kina nuk kanë nënshkruar në Statutin e Romës të gjykatës në qytetin holandez të Hagës dhe për këtë arsye ata mund të shpërfillin urdhrin e arrestit kur Putin të mbërrijë në vend. Plani masiv i investimeve në infrastrukturë i Kinës u lançua 10 vjet më parë. Iniciativa “Brez dhe Rrugë” përfshin projekte tokësore dhe detare, këto të fundit të njohura si Rruga Detare e Mëndafshit.