Trupat ruse, policia dhe personeli i shërbimeve sekrete parandaluan një “luftë civile” duke qëndruar të patundur, përpara se njësitë mercenare të “Wagner” të avanconin në fundjavë, tha sot presidenti rus, Vladimir Putin në Moskë. “Ju keni mbrojtur rendin kushtetues, jetën, sigurinë dhe lirinë e qytetarëve tanë, keni shpëtuar atdheun tonë nga tronditjet, keni parandaluar një luftë civile”, u tha Putin komandantëve të sigurisë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, të cilët u mblodhën në Kremlin. “Ne e dinim se po fitonim, rebelët nuk do ta kishin marrë Moskën”, theksoi Putin në fjalimin e tij. Ndërkohë, Kremlini hodhi poshtë spekulimet se hierarkia e vendit ishte dobësuar nga ngjarjet dramatike të së shtunës. “Ka shumë histeri ultra-emocionale midis ekspertëve dhe pseudo-ekspertëve”, tha më herët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Kjo nuk kishte të bënte me realitetin, dhe ngjarjet kanë treguar se sa e konsoliduar është shoqëria rreth presidentit”, shtoi Peskov. Udhëheqësi i “Wagner”, Yevgeny Prigozhin ndaloi marshimin e tij drejt Moskës të shtunën pas negociatave me udhëheqjen ruse të ndërmjetësuara nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko. atsh