Ato që duhej të ishin pushime ëndrrash në Evropë po shndërrohet në një makth për mijëra turistë, pasi kontinenti po përballet me një goditje të dyfishtë – ndërprerje të gjera të fluturimeve dhe vala e të nxehtit ekstrem, sipas “Euronews”.

Grevistët e trafikut ajror, veçanërisht në Francë, kanë shkaktuar qindra anulime dhe vonesa fluturimesh në kulmin e sezonit të udhëtimeve.

Njëkohësisht, një valë e të nxehtit në fillim të verës ka përfshirë disa pjesë të Evropës jugore dhe qendrore, duke vënë në provë infrastrukturën dhe duke ndikuar në zonat turistike.

Turistët në destinacione kryesore si Franca, Italia dhe Spanja po raportojnë vonesa me orë të zgjatura në aeroporte – dhe kushte të padurueshme për shkak të temperaturave që tejkalojnë ndjeshëm normat sezonale.

Për shumë turistë, pushimet e shumëpritura verore po kthehen në një provë durimi dhe qëndrueshmërie.

Anulimet e fluturimeve

Ndërprerjet e fluturimeve në të gjithë Evropën u rritën më 1 korrik 2025, me mbi 200 vonesa dhe më shumë se 60 anulime të raportuara, për shkak të sfidave të shumta operacionale.

Linjat ajrore po përballen me mungesë të stafit, probleme teknike dhe kushte të pafavorshme atmosferike, duke ndikuar ndjeshëm në udhëtimet në të gjithë rajonin.

Ndër linjat më të prekura janë Air France, Finnair, American Airlines, Emirates, KLM, Air Canada dhe China Southern.

Problemet vazhdojnë, me kompaninë Finnair – e cila anuloi 100 fluturime në destinacionet evropiane më 2 korrik.

Sipas kompanisë amerikane të teknologjisë “FlightAware”, Aeroporti Charles de Gaulle në Paris raportoi 11 anulime gjatë 24 orëve të fundit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një rënie të vonesave dhe anulimeve në Aeroportin Ndërkombëtar të Mynihut, Aeroportin Stokholm-Arlanda dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Dublinit.

Kombinimi i valëve të të nxehtit në tokë dhe në det jo vetëm që po vë në provë infrastrukturën dhe sistemet shëndetësore publike, por gjithashtu po nxjerr në pah intensitetin dhe shpeshtësinë gjithnjë e më të madhe të ngjarjeve ekstreme klimatike në gjithë Evropën.

Mbipopullimi turistik rrit presionin

Rritja e numrit të vizitorëve ka shkaktuar shqetësime për mbipopullim turistik në mbarë Evropën.

Qytete si Venecia, Barcelona dhe Amsterdami kanë vendosur taksa turistike dhe rregulla më të ashpra.

Venecia tani tarifon vizitorët ditorë, ndërsa Barcelona ka kufizuar qiratë afatshkurtra në disa zona.

Në Spanjë, rritja e numrit të turistëve ka shkaktuar protesta në qytete dhe ishuj të njohur.

Banorët në Barcelonë, Majorka dhe Ishujt Kanarie kanë organizuar protesta kundër mbipopullimit turistik.

Ata kanë kërkuar rregulla më të rrepta, kufizime në numrin e turistëve dhe taksa më të larta për të balancuar përfitimet e turizmit me nevojat e komuniteteve vendase.