Ministria e Mbrojtjes informoi sot për situatën në vend pas reshjeve intensive të një dite më parë. Kështu, MM informoi se situata në qarkun e Kukësit, pas reshjeve të ditës së djeshme, sot paraqitet më e qetë. Sipas informacioneve nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, në bashkinë Tropojë ku pati dëme, gjendja është normalizuar, ndërkohë që vazhdon puna në terren nga grupet e punës për eliminimin e pasojave. Në mbështetje të forcave në terren po punojnë mjete dhe forca e batalionit të Xhenios dhe Batalionit të Mbështetjes së Emergjencave Civile. Ndërsa bashkia ka ngritur grupet e vlerësimit të dëmeve. Aktualisht në territorin e bashkisë Tropojë: rrugët nacionale janë të qarkullueshme normalisht. (Curri-Valbonë, Ura e Bujanit-Qafe Morine, Sopot-Kerrnaj, Mejdan-Tropojë-Buçaj, B.Curri-Cërrnicë dhe B.Curri –Fierzë), rruga Lekbibaj- Fierzë është e bllokuar nga rrëshqitjet e gurëve, po punohet me mjetet e bashkisë për zhbllokimin e segmentit rrugor Lekbibaj-Sheshi i trageteve Fierzë. MM bëri të ditur se po punohet nga grupet e punës së OSHEE për riparimin e defektit në nënstacionin elektrik në Gropë Fierzë dhe rikthimin e energjisë në njësinë administrative Fierzë dhe fshatin Valbonë, ndërsa në fshatin Degë njësia administrative Fierzë është dërguar një fadromë në mbështetje të komunitetit. Në qarqet e tjera të vendit situata është e qetë dhe nuk janë vërejtur problematika.https://ata.gov.al/2022/09/18/mm-situata-pas-reshjeve-me-e-qete-punohet-per-riparimin-e-defektit-ne-fierze/