Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEPunime për mbrojtjen e shtratit të lumit Kir, pranë Urës së Mesit

Punime për mbrojtjen e shtratit të lumit Kir, pranë Urës së Mesit

Prej disa ditësh ka nisur puna për mbrojtjen me gabiona të pjesës shkëmbore të shtratit të lumit Kir pranë Urës së Mesit, në Shkodër. Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha se “ky investim përfshin pjesën hyrëse të urës për sistemimin me kanale të shkarkimit të ujërave të shiut, por edhe kapuçimin e të gjithë parapetit të urës në të dy krahët e saj”. Gjithashtu, shtoi Beci, në bazë të projektit që po zbatohet, do të trajtohet edhe dëmtimi që i është bërë pjesës shkëmbore në të dyja bazamentet e harkut të madh të Urës së Mesit. Sipas tij, pjesë e projektit është edhe ndriçimi i Urës së Mesit. “Ky monument kulture është simbol i qytetërimit të lashtë dhe një pikë tërheqëse për turistët e huaj dhe vendas që vizitojnë Shkodrën, ndaj vëmendja e investimi janë më se të domosdoshëm”, theksoi Beci duke shtuar punimet në këtë investim po kryhen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, Ura e Mesit është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë. Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments