Metalet e ralla tokësore kanë emra vështirë të shqiptueshëm; janë thelbësore për prodhimin modern dhe po zhvendosen gjithnjë e më në qendër të luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Furnizimi global me këto minerale të rralla – një grup prej 17 elementeve thelbësore që gjenden gjithkund, nga bateritë e automjeteve elektrike e deri te teknologjia e rëndësishme e mbrojtjes – kontrollohet kryesisht nga Kina.

Pekini tani po kërkon ta përdorë këtë përparësi strategjike në përplasjet e vazhdueshme dhe tensionet tregtare me Uashingtonin.

Duke u përgjigjur ndaj tarifave të vendosura së fundi nga Shtetet e Bashkuara, Kina i kufizoi shitjet në SHBA për shtatë elemente të rralla. Edhe pse nuk është ndalim i plotë, kjo masë u kërkon prodhuesve të aplikojnë për licenca eksporti në Qeverinë kineze.

Shqetësimet po shtohen se kjo mund të çojë në rritje çmimesh dhe ndërprerje të furnizimit, gjë që mund të ndikojë veçanërisht në kompanitë amerikane të mbrojtjes.

“Ajo që ishte nafta për shekullin e XX-të, janë mineralet e rralla për shekullin e XXI-të”, tha Sean McFate, profesor në Shkollën Maxwell të Universitetit Syracuse për Shtetësi dhe Çështje Publike.

“Mikroçipat, teknologjia e gjelbër dhe informatika kuantike, të gjitha këto, kërkojnë minerale të rralla, dhe Kina i ka shumicën e tyre. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare që shkon përtej tregut të aksioneve”, shtoi ai.

Kina kontrollon më shumë se dy të tretat e prodhimit global të elementeve të rralla dhe mbi 90 për qind të kapacitetit të përpunimit.

Ajo gjithashtu ka në thelb një monopol mbi përpunimin e mineraleve të rënda të rralla, një nëngrup që përdoret në sektorin e mbrojtjes në SHBA për të prodhuar magnete të fuqishme, që janë të nevojshme për avionë luftarakë, anije luftarake, raketa, tanke dhe laserë.

Mbetet për t’u parë si do t’i zbatojë Kina këto kufizime të reja, por një raport nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington paralajmëron se ato me gjasë do të shkaktojnë ndërprerje të eksporteve, derisa Pekini ta sjellë sistemin e licencimit, dhe do të shkaktojnë ndërprerje të furnizimit për disa kompani amerikane, veçanërisht ato në sektorin e sigurisë kombëtare.

Si po i kufizon Kina mineralet e rralla?

Kufizimet e reja të eksportit zbatohen për shtatë elemente të rralla, të mesme dhe të rënda: samarium, gadolinjium, terbium, disprosium, lutetium, skandium dhe itrium – të gjitha të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes.

Itriumi, për shembull, përdoret si mbështjellës për motorët e avionëve për t’i bërë ballë temperaturave të larta, për ta parandaluar shkrirjen e tyre gjatë fluturimit.

Derisa Pentagoni dhe firmat amerikane kanë rezerva, besohet se ato nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar ndonjë ndërprerje të zgjatur të furnizimit. Përveç ndalimit të vetë elementeve, Pekini ka vendosur gjithashtu 16 entitete amerikane – të gjitha përveç njërës janë në industrinë e mbrojtjes dhe hapësirës – në listën e tij të kontrollit të eksportit, duke ua kufizuar atyre pranimin e mallrave me përdorim të dyfishtë, përfshirë elementet e rralla.

Përveç aftësisë për t’i ndalur furnizimet, mbizotërimi i tregut nga Pekini ia lejon atij gjithashtu t’i diktojë çmimet, që do të thotë se mund t’i rrisë kostot për klientë të caktuar, ose t’i kufizojë furnizimet me minerale të rralla jashtë kontrollit të saj, duke mbajtur çmime të ulëta.

Kjo u pa edhe në masa të mëparshme të zbatuara nga Kina. Në vitin 2023, Pekini kufizoi eksportet e galiumit dhe germaniumit, që përdoren në çipa, radarë dhe satelitë. Kjo u pasua nga një ndalim i plotë i eksportit të tyre në SHBA në dhjetor 2024.

Prej atëherë, çmimet janë rritur ndjeshëm dhe tregu global është fragmentuar. Galiumi i blerë nga vendet perëndimore është dy deri në tre herë më i shtrenjtë se ai i blerë në Kinë, sipas Project Blue.

Si mund të përgjigjet SHBA-ja?

Përballë trysnisë nga Kina, ekspertët thonë se SHBA-ja duhet të ndërmarrë politika për ta shtuar prodhimin vendës dhe të kërkojë burime të reja në vende të tjera.

Qysh në vitet e ’80-ta, SHBA-ja ishte lider në prodhimin e elementeve të rralla, por rritja e çmimeve çoi në mbylljen e minierës kryesore, Mountain Pass, në Kaliforni në fillim të viteve 2000.

Kjo minierë është rihapur më pas dhe administrata të njëpasnjëshme amerikane, përfshirë atë të presidentit Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, kanë ndarë të holla për nxjerrjen dhe përpunimin e elementeve të rralla.

Por, ta zësh Kinën në garë për elemente të rralla dhe minerale të tjera të rralla, kërkon kohë dhe kushton shumë.

Disa që punojnë në këtë sektor thonë gjithashtu se pjesë të tjera të tarifave të vendosura nga Trump mund të kenë ndikime të dëmshme anësore, duke e bërë të vështirë rritjen e shpejtë të prodhimit, shkruan REL