Njohja e Kosovës nga Siria po konsiderohet e rëndësishme, por gjithashtu edhe tregues se shtete të tjera mund ta ndjekin këtë rrugë.
Kjo njohje ka qenë e pritur nga koha e rrëzimit të dinastisë Assad, thotë Nehat Islami i cili ka qenë korrespodent për Kosovë nga Lindja e Mesme me seli në Bejrut.
Ai pret që Kosovën ta njohë edhe Libani, vend në të cilin jetoi për katër vjet. Islami thotë për KosovaPress, se mund të shtohet numri në listën e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës.
Siria, vend në Lindjen e Mesme, ka njohur Kosovën më 29 tetor, duke u bërë vendi numër 120 që njeh pavarësinë e vendit tonë. Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se kjo marrëveshje është arritur me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud në Riad.
Lexo po ashtuRritet numri i fluturimeve dhe i udhëtarëve me aeroplanEdhe Ministria e Jashtme e Sirisë ka njoftuar për njohjen e Kosovës, ku ndër tjera është thënë se ky vendim synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes me vende të ndryshme të botës.
Njohësja e çështjeve të integrimeve evropiane dhe ish-diplomatja, Alma Lama thotë se njohja e Sirisë ka ardhur si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike dhe rreshtimit të ri politik të Damaskut zyrtar.
Shteti i Kosovës duhet të rishikojë strategjinë e njohjeve, thotë ndër tjera Lama, teksa shton se kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo konsideron se autoritetet vendore duhet të forcojnë bashkëpunimin me SHBA dhe Bashkimin Evropian.
Për njohjen e Sirisë, ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili ka shprehur mirënjohje përpjekjeve të suksesshme të presidentes Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Arabisë Saudite. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se me vendimin për njohjen e Kosovës, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetit në Ballkan”.





