Protokolli i nënshkruar u përpilua në përputhje me disa konventa që parashikonin marrëveshje të kësaj natyre, sikurse ishin: Konventa mbi detin territorial dhe zonën speciale dhe Konventa mbi detin e hapur. Për një periudhë afro katërmujore, prej datës 15 mars deri më 7 korrik 1958, secila prej palëve kreu punimet sipas detyrimeve. Pas përfundimit të kësaj kohështrirjeje, prej datës 30 korrik e deri më 2 gusht, përfaqësues të qeverisë shqiptare, së bashku me homologët e tyre në kabinetin grek, u mblodhën në qytetin e Sarandës për të shqyrtuar punimet e kryera.

Në një deklaratë të tyren të përbashkët, ata komunikuan nënshkrimin e një protokolli përfundimtar, i cili do të mundësonte që duke filluar nga mesdita e datës 4 gusht 1958, Kanali i Korfuzit të ishte “i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë mbeteshin të tensionuara për shkak të “gjendjes së luftës”, si dhe për pretendimet territoriale greke. Megjithëse mungonin marrëdhëniet diplomatike dhe të dyja vendet i përkisnin blloqeve ushtarake kundërshtare, NATO dhe Traktatit të Varshavës, nevoja për një lundrim të sigurt në Kanalin e Korfuzit i shtyu ato drejt bashkëpunimit teknik dhe nënshkrimit të Protokollit më 8 shkurt 1958.

Gjatë muajve mars–korrik, të dyja vendet çminuan ujërat e tyre territoriale dhe më 4 gusht 1958 kanali u hap zyrtarisht.