Në drejtimin e kryetarit, Eduard Shalsi, komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e tij të radhës on line mori në shqyrtim në cilësinë e komisionit përgjegjës të projektligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë, Denis Deralla, drejtor i departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë; si dhe staf teknik i MFE-së dhe Bankës së Shqipërisë. Projektligji u prezantua nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Mete, i cili bëri një përmbledhje të përmbajtjes duke theksuar se projektligji është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe konsultim me Bankën Botërore, dhe ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për llogarinë e pagesave me shërbime bazike. Ndër të tjera ministri sqaroi se objektivi i këtij projektligji është promovimi i përdorimit sa më pak të pagesave në “cash” dhe rritja e përfshirjes financiare të popullsisë, duke krijuar lehtësira për kategori konsumatorësh që i përkasin shtresave vulnerabël, të cilët e kanë të vështirë apo të pamundur hapjen dhe mbajtjen e një llogarie pagesash në banka, për shkak të kostove që ajo mbart. “Për të gjitha këto kategori në momentin që hapin llogari me shërbime bazike pranë bankave të nivelit të dytë, së pari, ligji vendos detyrimin që bankat të mos refuzojnë hapjen e një llogarie për shërbime bazike dhe së dyti, të ofrojnë shërbime me tarifa zero në pjesën më të madhe të tyre, ose me tarifa të diferencuara”, sqaroi Mete. Relatorja e çështjes, Milva Ekonomi, vlerësoi rëndësinë e projektligjit për promovimin dhe rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë dhe nënvizoi rëndësinë e draftimit të tij për plotësimin e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit në BE. Pas pyetjeve dhe diskutimeve komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë, duke ia kaluar për shqyrtim seancës plenare të radhës.
Promovim i përdorimit sa më pak të pagesave në “cash”
RELATED ARTICLES