Agjencia e Prokurimit Publik pas verifikimit të procedurave të prokurimit të zhvilluara nga autoritete të ndryshme kontraktore, gjatë periudhës kohore 2021-2024 tërhoqi vëmendjen drejt zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore.

Procedurat e përfshira në këtë plan verifikimi i përkasin llojit “e hapur”, “e hapur e thjeshtuar” dhe “procedurë prokurimi me vlerë të vogël”.

APP kërkon që autoritetet/entet kontraktore duhet të argumentojnë specifikimet teknike për objektin e prokurimit.

APP argumenton se specifikimet teknike nuk duhet të hartohen me parametra fikse ose me një interval minimal. Sipas APP-së, vendosja e specifikimeve në këtë mënyrë mund të orientojë ofertuesit drejt markave specifike prodhuese ose drejt distributorëve specifikë të mallrave, apo mund të bëhet pengesë për pjesëmarrje.

Autoritetet/entet kontraktore duhet të përcaktojnë dokumentet konkrete, në përmbushje të kërkesave teknike të përcaktuara, me qëllim që operatorët ekonomikë të provojnë përmbushjen e tyre.

Njëkohësisht, autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë se, specifikimet teknike duhet të përgatiten për të përshkruar sa më saktë dhe në mënyrë të plotë objektin e prokurimit.

Në këtë kuptim, aty ku është e nevojshme, duhet të përcaktojnë specifikime konkrete për zëra të preventivit, duke përshkruar tërësinë e kërkesave në lidhje me procesin e punës që do të realizohet për këta zëra.

Në rastet e përgatitjes së dokumentacionit teknik të procedurës, përfshirë specifikimet teknike, nga subjekte private, autoritetet/entet kontraktore duhet të verifikojnë nëse dokumentacioni në fjalë është hartuar konform legjislacionit të prokurimit publik dhe atij specifik.

Për sa i përket përllogaritjes së fondit limit, APP kërkon që autoritetet/entet kontraktore duhet të mbajnë në konsideratë dhe të dokumentojnë përllogaritjen e fondit limit edhe në rastet kur bazohen në çmimet e kontratave të mëparshme.