Ky projektligj ka për qëllim përafrimin e plotë me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale.

Ky hap është pjesë e përgatitjeve të Shqipërisë në kuadër të grup-kapitullit 2 “Tregu i brendshëm”, i hapur zyrtarisht në prill 2025 si pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në këtë grup-kapitull, Kapitulli 9 “Shërbimet Financiare” ka rol kyç, ku Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare drejton negociatat për përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.

Projektligji përcakton rregullat për subjektet dhe aktivitetet që lidhen me emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, si dhe për veprimtaritë e ndërmjetësimit: operimi i platformave të tregtimit, këmbimi, kujdestaria, ekzekutimi i urdhrave, këshillimi dhe administrimi i portofolit të kripto-aseteve.

Kërkesat rregullatore përfshijnë mbajtjen e kapitalit minimal, qeverisjen korporative, menaxhimin e konflikteve të interesit, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e abuzimit me tregun, si dhe zbatimin e politikave kundër pastrimit të parave.
Kuadri i propozuar harmonizohet me MIFID II dhe EMD2, duke vendosur standarde të ngjashme me ato të instrumenteve financiare dhe parasë elektronike.

“Ky projektligj synon jo vetëm mbrojtjen e investitorëve dhe integritetin e tregut, por edhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për zhvillimin e teknologjive inovative shqiptare”, thuhet në relacionin e projektligjit.

Mbikëqyrja e zbatimit do të realizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, duke garantuar besueshmëri dhe stabilitet në sistemin financiar.

Nëpërmjet këtij kuadri, Shqipëria synon që ofruesit vendas të shfrytëzojnë mundësitë e tregut të përbashkët evropian, të tërheqin investime cilësore dhe të integrohen gradualisht në zinxhirët e vlerës evropiane, duke ruajtur balancën midis mbrojtjes së konsumatorit dhe nxitjes së inovacionit.