“Fondi me pjesëmarrje të hapur krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim. Anëtarë të këtij fondi mund të jetë çdo individ, i cili zgjedh të kontribuojë në fondin e krijuar nga shoqëria administruese, përfshirë punëmarrësit dhe punëdhënësit. Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Pjesëmarrja në këtë fond është e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme”, tha minisitri, teksa theksoi se, “krijimi i fondit me pjesëmarrje të mbyllur merr rëndësi të veçantë pasi në këtë mënyrë shoqëritë shqiptare nxiten që përmes mundësisë për negocim me shoqëritë administruese të krijojnë fonde pensioni për punonjësit e tyre, duke sjellë rritjen e pjesëmarrjes në këto skema.
“Projektligji parashikon gjithashtu lehtësi fiskale edhe për pagesat e marra nga anëtari i fondit të pensionit. Sot sipas ligjit në fuqi, pagesat e marra nga anëtari i fondit tatohen me normën e të ardhurave personale 15%, njëlloj si çdo e ardhur tjetër, ndërsa ajo që propozohet dhe parashikohet në projektligj është që pagesat e marra nga anëtari i fondit në mënyrë periodike mujore, në formë pensioni, të zgjatura në kohë, jo më pak se 2 vjet, pra që të zgjatet dhe koha e marrjes së pensionit, tatohen vetëm për kthimin nga investimi me normën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale”, tha Mete.