Sipas projektligjit, për mosveprim brenda afatit 12 deri në 24 orë pas njoftimit, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) do të vendosë gjobë administrative për çdo 24 orë vonesë në heqjen ose bllokimin e përmbajtjes.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në rast keqpërdorimi të imazheve intime pa pëlqim, dhunës e përndjekjes digjitale të lehtësuar nga teknologjia, dhe gjuhën e urrejtjes digjitale të lehtësuar nga teknologjia, vendos gjobë administrative nga 50 000 deri në 500 000 lekë për çdo 24 orësh vonesë, nëse kjo masë është vendosur nga gjykata.
Ky ligj ka për qëllim parandalimin, reduktimin dhe mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në veprimtarinë publike, private, përfshirë dhunën në mjedisin digjital.
Në projektligj, theksohet se fokusi është në sigurimin e mbrojtjes së menjëhershme ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, përmes mjeteve ligjore, civile dhe administrative, masave të tjera të nevojshme dhe politikave të integruara dhe gjithëpërfshirëse, me në qendër viktimën, duke i kushtuar vëmendje të veçantë grupeve të cenueshme.
Projektligji synon parandalimin, mbrojtjen, mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave, nëpërmjet krijimit të një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor si dhe organizatave të shoqërisë civile, me qasje të integruar duke pasur në qendër viktimën.
Gjithashtu, forcimi i sistemit gjyqësor për marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një tjetër pikë e projektligjit.
Një tjetër element është garantimi për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje të aksesit të shpejtë, falas dhe të thjeshtuar në mjetet juridike pranë gjykatave ose organeve të tjera përgjegjëse sipas këtij ligji.
Ky projektligj do të zbatohet në të gjitha mjediset e veprimtarisë publike dhe private përfshirë ato të ndërmjetësuara nga teknologjia, me kujdesin e duhur në mjedisin e familjes dhe pa kufizim në të gjitha mjediset e cenueshme nga dhuna.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në proceset administrative dhe civile, duke përfshirë edhe viktimat e dhunës të veprave penale të parashikuara në Kodin Penal, si edhe viktimat e dhunës në kohë paqeje, në situata konflikti të armatosur dhe në situata emergjente.
Sipas projektligjit, dhunë është çdo veprim ose mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, përfshirë dhunën digjitale, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.





