Sasia minimale e rezervave do të jetë të paktën 90 ditë e importeve mesatare ditore neto ose 61 ditë e konsumit të brendshëm, sipas sasive më të mëdha.

Financimi i sistemit të rezervave të sigurisë do të realizohet përmes tarifave mbi produktet hidrokarbure, të ardhurave nga shitja e rezervave, shërbimeve të autoritetit dhe burimeve të tjera të ligjshme.

Drafti transpozon në legjislacionin shqiptar Direktivën 2009/119/EC të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, në bashkëpunim me ekspertët e Komunitetit të Energjisë. Autoriteti për rezervat e sigurisë do të ketë kompetenca për blerjen, magazinimin dhe përdorimin e rezervave të naftës dhe nënprodukteve të saj, përfshirë mundësinë e delegimit të menaxhimit edhe në vende të Bashkimit Europian.

Drafti parashikon një tarifë që do të paguhet për rezervat. Arkëtimi i kësaj pagese bëhet nga Autoriteti Doganor gjatë mbledhjes së detyrimit doganor të mallrave me akcizë.

Projektligji parashikon gjoba nga 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë ndaj operatorëve për shkeljet që lidhen me përdorimin e rezervave të detyrueshme pa autorizim, kur përdorin rezervat e detyrueshme si garanci, kolateral, apo mjet sigurimi për palë të treta, si dhe kur rezervat nuk plotësojnë standardet e cilësisë, apo nuk zbatohen masat e Planit Kombëtar të Reagimit.

Në rast përsëritjeje të shkeljeve personit juridik mund t’i vendoset ndalim deri në 1 vit për ushtrimin e aktivitetit ose profesionit.

Projektligji synon të harmonizojë kuadrin ligjor vendas me standardet europiane dhe të krijojë një sistem efikas për mbrojtjen e furnizimit të vendit me naftë dhe produkte të saj strategjike